Vai al contenuto
GetWebSolution

Rregullorja dhe privatësia e sondazhit

Si funksionon sondazhi, si mbrohet nga mashtrimi dhe si mbrohet ai që voton.

Kjo faqe shpjegon, me fjalë të thjeshta, si funksionon sondazhi, si mbrohet nga mashtrimi dhe, mbi të gjitha, si mbrohet ai që voton. Qëllimi ynë është i thjeshtë: askush që voton të mos pësojë asnjë dëm për shkak të votës së tij.

1. Kush e organizon dhe pavarësia

Sondazhi organizohet nga Ermald Billa, autor i faqes getwebsolution.it, si person privat. Kontakt: info@getwebsolution.it.

  • Sondazhi nuk financohet, nuk porositet dhe nuk koordinohet nga asnjë parti politike, institucion, media apo organizatë.
  • Pyetja është e njëjtë për të gjithë. Pas hapjes, paneli i administrimit nuk lejon më as ndryshimin e pyetjes, as fshirjen e votave.
  • Organizatori merr përsipër të mos shtojë, mos heqë dhe mos ndryshojë asnjë votë. Votat e provës, të bëra para hapjes për të kontrolluar që gjithçka funksionon, fshihen para hapjes zyrtare.

2. Çfarë është (dhe çfarë nuk është) ky sondazh

Ky është një shprehje e lirë mendimi në internet, e hapur për këdo. Nuk është sondazh statistikor: nuk ka një mostër të zgjedhur sipas moshës, qytetit apo profesionit, ndaj rezultati nuk përfaqëson gjithë popullsinë. Tregon vetëm mendimin e atyre që kanë zgjedhur të votojnë.

3. Rregullat e votimit

  • Pyetja: «A duhet të japë dorëheqjen Kryeministri Edi Rama?» Përgjigjet e mundshme: Po ose Jo.
  • Hapja: data dhe ora tregohen në faqen e sondazhit me një numërim mbrapsht (ora e Tiranës).
  • Mbyllja: ditën kur Kryeministri jep dorëheqjen ose arrihet një marrëveshje politike. Mbyllja njoftohet në faqen e sondazhit me datën dhe arsyen.
  • Një votë për çdo shfletues. Para dërgimit të shfaqet zgjedhja për konfirmim; pas konfirmimit vota nuk mund të ndryshohet.
  • Kufiri i rrjetit (20 vota në ditë): ky kufi nuk është një e drejtë për të votuar 20 herë: çdo person voton vetëm një herë. Është një mbrojtje teknike kundër votave masive. Shumë persona të ndryshëm dalin në internet me të njëjtën adresë: familja që përdor të njëjtin Wi-Fi, kolegët në zyrë, studentët në universitet, klientët e të njëjtit operator celular. Që secili prej tyre të mund të votojë një herë, nga e njëjta adresë pranohen deri në 20 vota në ditë. Kur kufiri arrihet, votat e tjera nga ajo adresë refuzohen deri të nesërmen.
  • Rezultatet janë publike dhe përditësohen në kohë reale për të gjithë. Pas mbylljes, rezultatet përfundimtare mbeten publike.

4. Si mbrohet sondazhi nga mashtrimi

  • Verifikim kundër robotëve (Proof-of-Work): para se të dërgohet vota, shfletuesi yt zgjidh vetë, në sfond, një ushtrim llogaritës që zgjat nga një deri në disa sekonda. Për një person është i padukshëm; për një program që do të dërgonte mijëra vota bëhet i kushtueshëm. Çdo ushtrim është i nënshkruar nga serveri, skadon pas 20 minutash dhe mund të përdoret vetëm një herë.
  • Mbrojtje nga kërkesat e falsifikuara (CSRF): vota pranohet vetëm nëse dërgohet nga vetë faqja e sondazhit.
  • Cookie teknik: pengon votën e dytë nga i njëjti shfletues.
  • Kufiri i rrjetit: maksimumi 20 vota në ditë nga i njëjti rrjet.
  • Kufizim i shpejtësisë në server për kërkesat e votimit.
  • Transparencë: përpjekjet e refuzuara numërohen dhe tregohen publikisht sipas arsyes dhe zgjedhjes, si për «Po» ashtu edhe për «Jo». Ato nuk llogariten në rezultat. Meqë kushdo mund të dërgojë përpjekje të rreme me cilëndo zgjedhje, këto numra nuk tregojnë se cila palë mashtron. Që të mos fryhen artificialisht, numërohen maksimumi 50 përpjekje në ditë për çdo rrjet.

5. Kufijtë teknikë (hapur)

Për të mbrojtur anonimatin, nuk kërkojmë dokument identiteti, numër telefoni, email apo llogari, dhe nuk përdorim teknika gjurmimi të pajisjes (fingerprinting). Kjo do të thotë që sondazhi pranon disa kufij të natyrshëm:

  • Një person me disa shfletues ose pajisje mund të votojë më shumë se një herë, brenda kufirit të rrjetit.
  • Kush fshin cookie-t mund të votojë sërish nga i njëjti shfletues, por kufiri i rrjetit mbetet.
  • Kush përdor VPN ose ndryshon rrjet mund të anashkalojë kufirin e rrjetit.
  • Persona që ndajnë të njëjtin rrjet (familje e madhe, zyrë, universitet, disa operatorë celularë) mund të arrijnë kufirin e 20 votave në ditë: në këtë rast mund të provojnë ditën tjetër.

Kemi zgjedhur me vetëdije këtë ekuilibër: më mirë një sondazh disi më pak i rreptë, se sa një sondazh që e di kush je.

6. Privatësia: çfarë NUK mbledhim

  • Asnjë emër, email, numër telefoni apo llogari.
  • Asnjë adresë IP e plotë: as në bazën e të dhënave, as në regjistrat (log) e serverit, të cilët janë të çaktivizuar për faqen e sondazhit.
  • Asnjë «User-Agent» (përshkrimi i shfletuesit), asnjë gjurmë e pajisjes (fingerprint).
  • Asnjë gjurmues, statistikë vizitash, reklamë, «pixel» rrjetesh sociale apo shërbim i jashtëm. Fontet, skriptet dhe grafikët ndodhen në serverin tonë: duke hapur faqen nuk lidhesh me asnjë kompani tjetër.
  • Asnjë cookie profilizimi apo reklamash.
  • Asnjë regjistrim që lidh votën me ty: as te ne, as në shfletuesin tënd.

7. Çfarë përpunojmë dhe për sa kohë

ÇfarëSi ruhetPër sa kohë
VotaVetëm +1 në dy totale: «sa vota Po/Jo në këtë orë» dhe «sa vota Po/Jo nga ky lloj pajisjeje» (kompjuter, celular, tablet). Nuk ekziston asnjë rresht për votë të veçantë.Për të gjithë, rezultati i sondazhit mbetët publik.
Hash i rrjetitNjë hash HMAC-SHA256 i adresës së rrjetit tënd (IPv4 pa numrin e fundit, IPv6 vetëm 64 bitët e parë), i llogaritur me kripën e ditës, dhe numri i votave dhe i përpjekjeve nga ai rrjet sot. Pa zgjedhjen dhe pa orën.Fshihet në fund të ditës (ora UTC) dhe menjëherë në mbylljen e sondazhit.
Kripa(salt => kodi sekret) e ditësNjë vlerë e rastësishme 256-bit, e krijuar çdo ditë.Fshihet në fund të ditës.
Ushtrimi kundër robotëveVetëm një kod i rastësishëm, për të mos u përdorur dy herë.Fshihet pas 20 minutash.
Përpjekjet e refuzuaraVetëm numra: arsyeja dhe zgjedhja e kërkuar.Përgjithmonë, si pjesë e rezultatit publik.
Cookie teknikVetëm në shfletuesin tënd (shih pikën 9).Fshihet në vizitën e parë pas mbylljes; gjithsesi skadon pas 12 muajsh.

Të dhënat që fshihen mbishkruhen me zero në skedarin e bazës së të dhënave dhe nuk përfshihen në kopjet rezervë (backup) të faqes.

8. Çfarë është një hash dhe pse askush nuk mund të arrijë tek ti

Një hash është një funksion matematikor që merr një tekst dhe nxjerr një «gjurmë» me gjatësi fikse, për shembull:

85.12.34.0/24 + kripa e ditës → 9f2c4e…b71a (64 shkronja dhe numra)

Ka tri veti:

  • Është i njëjti çdo herë për të njëjtin input: kështu kuptojmë nëse nga i njëjti rrjet sot kanë ardhur më shumë se 20 vota.
  • Funksionon vetëm në një drejtim: nga gjurma nuk mund të rindërtohet adresa, ashtu si nga lëngu i një përziesi(mixer = blender) nuk rikthehemi te fruta.
  • Me kripë ndryshon plotësisht: kripa është një çelës i rastësishëm i ri çdo ditë. E njëjta adresë jep një gjurmë krejt tjetër të nesërmen, ndaj ditët nuk mund të lidhen me njëra-tjetrën.

Pse askush, as ne, nuk mund të arrijë tek ti nëpërmjet votës:

  1. Vota nuk ruhet si regjistrim: bëhet vetëm +1 në një total. Nuk ka asnjë rresht me «kush, kur, çfarë».
  2. Hash-i i rrjetit është i ndarë nga vota: qëndron në një tabelë tjetër, pa zgjedhjen dhe pa orën. Thotë vetëm «nga ky rrjet ka sot X vota», jo çfarë votoi kush.
  3. Rrjeti nuk është personi: adresa pa numrin e fundit ndahet me deri në 256 adresa të tjera, dhe një adresë shpesh ndahet nga shumë persona.
  4. Në fund të ditës kripa fshihet: pa të, edhe me bazën e të dhënave në dorë, nuk mund të provohet më se cilit rrjet i përkiste një hash.
  5. Regjistrat e serverit janë të çaktivizuar për faqen e sondazhit, ndaj nuk mbetet as gjurma «kjo adresë IP dërgoi një votë në këtë orë».
  6. Cookie nuk përmban votën: edhe kush sheh shfletuesin tënd mund të kuptojë vetëm se nga aty është votuar, jo çfarë.

Me fjalë të tjera: edhe sikur dikush të merrte gjithë serverin, nuk do të gjente asgjë që lidh një person apo një rrjet me «Po» ose «Jo».

Faqja getwebsolution.it nuk përdor cookie. E vetmja përjashtim është ky sondazh, dhe vetëm pasi voton:

  • Emri: gws_sondazh
  • Përmbajtja: numri i raundit të sondazhit, një kod i rastësishëm dhe një firmë që provon se e ka krijuar serveri. Nuk përmban se çfarë votove dhe asnjë të dhënë tjetër.
  • Ku vlen: vetëm për adresat /sondazh/; shfletuesi nuk ia dërgon pjesës tjetër të faqes.
  • Siguria: HttpOnly (nuk lexohet nga skriptet), Secure (vetëm me HTTPS), SameSite=Strict (nuk dërgohet nga faqe të tjera).
  • Kohëzgjatja: fshihet në vizitën e parë pas mbylljes së sondazhit; gjithsesi skadon pas 12 muajsh.
  • Qëllimi: vetëm të pengojë votën e dytë nga i njëjti shfletues. Është një cookie teknik i domosdoshëm për shërbimin që kërkon vetë (votimi), prandaj nuk ka nevojë për banner pëlqimi. Nuk përdoret kurrë për asgjë tjetër.

Mund ta fshish në çdo moment nga cilësimet e shfletuesit (cookie të faqes getwebsolution.it).

10. Çfarë mund të verifikosh vetë

  • Cookie: në shfletues, te «Mjetet për zhvilluesit» → «Application/Storage» => «Cookies», do të shohësh vetëm gws_sondazh dhe vetëm pasi voton.
  • Asnjë shërbim i jashtëm: te «Network» do të shohësh që faqja lidhet vetëm me getwebsolution.it.
  • Rezultatet e plota: janë publike edhe në formë teksti te /sondazh/rezultatet.json. Janë të gjitha të dhënat e përhershme të sondazhit: totale, pa asnjë informacion për personat. E vetmja tjetër është tabela e përkohshme e hash-eve të ditës (pa vota), e cila fshihet çdo ditë.

11. Çfarë nuk varet nga ne

Për t'u treguar i hapur deri në fund:

  • Ofruesi yt i internetit (ose administratori i rrjetit në punë) mund të shohë që je lidhur me getwebsolution.it, si për çdo faqe tjetër. Falë HTTPS-it nuk mund të shohë se çfarë votove.
  • Kush ka akses në pajisjen tënde të zhbllokuar mund të shohë cookie-n, pra që nga ai shfletues është votuar (jo çfarë). Nëse të shqetëson, voto nga një dritare private/incognito: cookie fshihet kur e mbyll.
  • Ofruesi i serverit ku ndodhet faqja vepron si përpunues teknik dhe nuk ka akses në të dhëna që nuk ekzistojnë.

12. Baza ligjore

Përgjegjës për përpunimin e të dhënave është Ermald Billa (info@getwebsolution.it). Zbatohen Rregullorja e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe ligji italian për privatësinë.

  • Mendimet politike janë të dhëna të një kategorie të veçantë (neni 9 GDPR). Pikërisht për këtë, sondazhi është ndërtuar në mënyrë që të mos ruajë asnjë mendim politik që mund t'i lidhet një personi: ruhen vetëm totale anonime.
  • Hash-i i rrjetit, gjatë ditës së vetme që ekziston, përpunohet në bazë të interesit legjitim (neni 6.1.f GDPR) për të mbrojtur sondazhin nga votat e shumëfishta, me masat e përshkruara më sipër.
  • Cookie teknik është i përjashtuar nga pëlqimi sepse është rreptësisht i domosdoshëm për shërbimin e kërkuar nga përdoruesi (neni 5.3 i direktivës ePrivacy, neni 122 i Kodit italian të privatësisë).

13. Të drejtat e tua

Ke të drejtë të kërkosh qasje, korrigjim, fshirje, kufizim të përpunimit dhe të kundërshtosh përpunimin e të dhënave të tua, si dhe të paraqesësh ankesë pranë autoritetit mbikëqyrës (në Itali: Garante per la protezione dei dati personali (si apre in una nuova scheda); në Shqipëri: Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale).

Duhet të dish që, pikërisht sepse nuk ruajmë asgjë që të identifikon, nuk jemi në gjendje të gjejmë «votën tënde» apo të dhëna që të përkasin ty (neni 11 GDPR). Për çdo pyetje mund të na shkruash gjithsesi në info@getwebsolution.it.

14. Ndryshime

Gjatë votimit këto rregulla nuk ndryshohen, përveçse për të shtuar mbrojtje të privatësisë. Çdo ndryshim do të tregohet në këtë faqe me datën përkatëse.

Përditësuar më 22 tetor 2026.